Më shumë se gjysma e popullsisë në Europë mund të infektohet me Omicron dy muajt e ardhshëm. Është ky paralajmërimi që ka dhënë Organizata Botërore e Shëndetësisë për kontinentin e vjetër. Doktori Hans Kluge u tha gazetarëve në një konferencë për shtyp se Omicron ka nisur një valë të re nga lindja në perëndim duke përfshirë të vendet që monitoron në Europë. Më shumë se 7 milionë infektime u konfirmuan në rajon gjatë javës së parë të 2022, më shumë se dyfishi i dy javëve më parë. “Që nga 1 Janari, 26 vende raportojnë se mbi 1 përqind e popullsisë po infektohet me Covid-19 çdo javë”, tha Kluge. 50 vende kanë raportuar se tashmë varianti Omicron është dominues dhe se virusi po përhapet me shpejtësi në Ballkan.“Në këtë ritëm, Instituti për Matje dhe Vlerësime Shëndetësore parashikon që më shumë se 50% e popullsisë në rajon do të infektohet në gjashtë deri në tetë javët e ardhshme”, tha Kluge. Sipas të dhënave, Omicron është më i transmetueshëm se shtama origjinale e virusit ose varianti Delta. Kluge ka thënë se mutacionet e këtij varianti ia mundësojnë që të ngjitet më lehtë në qelizat e njerëzve. Gjatë 7 ditëve të fundit në Europë janë konfirmuar 20 400 viktima. Kjo është një ulje e lehtë krahasuar me një javë më parë, kur 22 600 persona ndërruan jetë. Kujtojmë që OBSH për Europën mbulon një popullsi prej 900 milionë njerëzish duke përfshirë edhe disa vende të Azisë Qendrore. Kluge theksoi se megjithëse nivelet e vdekshmërisë kanë mbetur të qëndrueshme, ato “vazhdojnë të jenë më të lartat në vendet me incidencë të lartë të Covid-19, e kombinuar me vaksinimin e ulët të popullsisë”.