QEVERIA JEP GARANCI PËR BANORËT E BOTUNIT, VENDI I IMPIANTIT MBETET I PANDRYSHUAR

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Qeveria shqyrtoi dhe miratoi sot garancitë që do t’u ofrohen banorëve të Botunit lidhur me funksionimin e Impiantit për Pastrimin e Ujërave të Zeza.

Kryetari i Podgoricës, Sasha Mujoviq, deklaroi se lokaliteti për ndërtimin e impiantit nuk mund të ndryshohet për shkak të procedurave të gjata dhe se nuk ka hapësirë për negociata mbi vendndodhjen. Ai shtoi se autoritetet janë të gatshme të nisin punimet, por ende nuk është përcaktuar se kur do të fillojnë.

Kryetari i Komunës së Zetës, Mihaillo Asanoviq, theksoi se Qeveria vetëm ka modifikuar konkluzionet e paraqitura më parë banorëve nga Mujoviq.

Deputeti i Partisë Popullore Demokratike, Millan Knezheviq, vlerësoi se ndryshimet krahasuar me ofertën e javës së kaluar janë minimale dhe se vendi i ndërtimit të Kolektorit mbetet i pandryshuar. Ai nënvizoi se as ai, as Asanoviq nuk janë palë bisedimesh, por vendimi i takon vetë banorëve të Botunit, të cilët kanë organizuar protestat.

Ministri i Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut, Damjan Qullafiq, deklaroi se i rekomandohet Kryeqytetit që të pezullojë punën e Sistemit për pastrimin e ujërave të zeza pa vonesë, nëse matjet tregojnë se emetimet e gazrave të dëmshëm tejkalojnë limitet e lejuara.

SHARE