Foto: predsjednik.me
Presidenti i Greqisë, Konstantinos Tasulas, vizitoi Malin e Zi, duke riafirmuar mbështetjen e vendit të tij për rrugën evropiane të Podgoricës.
Ai theksoi se Greqia është e gatshme të ndihmojë në këtë proces, për sa kohë Mali i Zi vazhdon të tregojë përkushtim ndaj këtij qëllimi.
Në një konferencë të përbashkët për medie me presidentin e Malit të Zi Jakov Millatoviq, Tasulas vlerësoi Malin e Zi si shembull pozitiv në procesin e integrimit evropian.
Millatoviq theksoi se vizita e Tasulas dëshmon marrëdhënie tradicionale dhe të shkëlqyera mes dy vendeve, duke riafirmuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me zyrtarët e Bashkimit Evropian.
Ai shtoi se Greqia, gjatë presidencës së saj në Këshillin e BE-së në vitin 2027, mund të luajë një rol kyç në fazën përfundimtare të procesit të anëtarësimit të Malit të Zi.
Millatoviq gjithashtu përmendi se Mali i Zi dhe Greqia janë aleate edhe brenda NATO-s, ndërsa bashkëpunimi mes tyre përfshin mbrojtjen, turizmin, ekonominë dhe arsimin, duke përmendur veçanërisht pjesëmarrjen e oficerëve malazezë në shkollat ushtarake greke.
Tasulas theksoi mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të tjera, si infrastruktura, energjetika, tranzicioni i gjelbër dhe turizmi, duke përmendur rritjen e lidhjeve ajrore, përfshirë linjën Athinë-Podgoricë, e cila ka rritur numrin e turistëve malazezë.
Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve paqësore dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare, duke theksuar nevojën për përmirësimin e marrëdhënieve rajonale.










