BE-ja KRIJON STRUKTURË INSTITUCIONALE GLOBALE PËR TË LUFTUAR KONTRABANDËN ME MIGRANTË

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen njoftoi krijimin e një strukture institucionale globale për të luftuar kontrabandën me migrantë dhe u bëri thirrje partnerëve me të njëjtat mendime të bashkohen, transmeton Anadolu.

Von der Leyen foli në konferencën e dytë të Aleancës globale për të luftuar kontrabandën me migrantë të mbajtur në Bruksel. “Parimi ynë themelor në BE është se jemi ne evropianët, jo kontrabandistët dhe trafikantët e qenieve njerëzore, që vendosin se kush do të vjen në Evropë dhe në çfarë kushtesh do të kalojnë kufijtë tanë”, tha ajo duke shpjeguar se procesi i zbatimit të Paktit të migracionit dhe refugjatëve po fiton vrull.

Presidentja e KE-së tha se migrimi i parregullt në rrugët kryesore është ulur me 26 për qind që nga fillimi i këtij viti. “Vetëm vitin e kaluar, ne sekuestruam më shumë se 12 milionë euro asete të paligjshme në Evropë, duke filluar nga anijet deri te armët e zjarrit. Megjithatë, zbulimi i rrjeteve mbetet jashtëzakonisht sfidues. Synimi i një hallke të vetme në zinxhirin e kontrabandës nuk është i mjaftueshëm. Ne duhet të ndjekim të gjithë rrjetin”, shtoi Von der Leyen.

Ajo shtoi se pjesëmarrësit në konferencë do të miratojnë deklaratë të përbashkët. “Kjo bazohet në tre parime. Së pari, ne duhet të parandalojmë udhëtimet e ofruara nga kontrabandistët e migrantëve. Së dyti, ne duhet t’i përgjigjemi modelit të biznesit në zhvillim e sipër të kontrabandistëve. Së fundmi, ne duhet t’u tregojmë viktimave të mundshme se gjithmonë ka alternativa më të sigurta”, theksoi Von der Leyen.

Sipas saj, për të arritur këto qëllime, aleanca e krijuar përmes konferencës do të kalojë në një strukturë më formale me një sekretariat dhe financim të përhershëm. Von der Leyen tha se lidhjet me G7, Këshillin e Evropës dhe agjencitë e OKB-së do të thellohen dhe u bëri thirrje vendeve dhe organizatave me të njëjtat mendime të bashkohen me iniciativën.

SHARE