NËNKRYETARI CAMAJ PRITI NË TAKIM NUNCIN APOSTOLIK FRANCIS ASSISI QULIKAT

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, ka biseduar sot me Nuncin Apostolik në Mal të Zi, me seli në Sarajevë, Imzot Francis Assisi Qulikat.

Camaj theksoi se Mali i Zi respekton shumë reputacionin shpirtëror dhe moral të Selisë së Shenjtë dhe rolin e tij aktiv dhe konstruktiv në zgjidhjen e çështjeve globale politike, ekonomike, sociale, mjedisore dhe të tjera, përmes avokimit për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve, promovimin e demokracisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Ai theksoi veçanërisht angazhimin e Papa Françeskut për paqen, drejtësinë dhe barazinë mes njerëzve, si dhe aktivitetet në fushën e kujdesit për refugjatët, dërgimin e ndihmave për vendet e pazhvilluara, luftën kundër varfërisë dhe forcimin e rolit të shtetit ligjor dhe dialogut ndërfetar.

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi rikujtoi se Mali i Zi është shtet multietnik, multikonfesional dhe multikulturor i përkushtuar ndaj valorizimit të plotë të traditave shpirtërore dhe kulturore të të gjitha bashkësive fetare.

Reciprokisht u theksua se marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Selisë së Shenjtë karakterizohen me dialog politik intensiv dhe konstruktiv, marrëdhënie miqësore dhe mungesë të çështjeve të diskutueshme dhe gatishmëri për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.

Në fokus të takimit të sotëm ishte iniciativa e përfaqësisë rezidente të Selisë së Shenjtë në Mal të Zi dhe hapja e Nunciaturës Papnore në Podgoricë.

U konstatua se nunciatura tek ne imponohet si nevojë konkrete, për të cilën Selia e Shenjtë i dha Malit të Zi “dritën jeshile” në vitin 2018.

Nënkryetari Camaj theksoi gatishmërinë e tij personale për të arritur një zgjidhje adekuate sa më parë përmes diplomacisë parlamentare dhe në bashkëpunim me Qeverinë e Malit të Zi dhe Kryeqytetin lidhur me selinë e Nunciaturës Apostolike në Podgoricë.

U konstatua se në këtë mënyrë do të sigurohen kushtet për nënshkrimin e memorandumit përkatës të Qeverisë së Malit të Zi dhe Kryeqytetit nga njëra anë, dhe Selisë së Shenjtë në anën tjetër.

Imzot Francis Assisi Qulikat tha se ky do të ishte një hap domethënës në konkretizimin e marrëveshjes për përfaqësinë rezidente të Selisë së Shenjtë në Mal të Zi, e cila, siç theksoi ai, do të kontribuojë në një bashkëpunim edhe më të mirë dhe më të fortë në të gjitha fushat.

Në fund të bisedës, u bë e ditur mundësia e vizitës së nënkryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, në fillim të vitit të ardhshëm në Selinë e Shenjtë, për të cilën e ka dhënë mbështetjen e plotë Nunci Apostolik, Imzot Qulikat.

SHARE