Foto: BalkanWeb
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës tejkaloi këtë të hënë shifrën e 10 milionë pasagjerëve ende pa u mbyllur viti 2024, duke vendosur kështu një tjetër rekord historik.
TIA është aeroporti me rritjen më të shpejtë në Evropë që nga pandemia, me një rritje prej 225% krahasuar me vitin 2019.
Për të shënuar këtë arritje të jashtëzakonshme, pasagjeri i 10 miliontë, i cili mbërriti në Shqipëri përmes linjës ajrore holandeze Transavia, u prit me një ceremoni të posaçme së bashku me pasagjerët e tjerë dhe ekuipazhin.
Matin Van Der Meij, pasagjeri i 10 miliontë, u shpreh se kjo nuk ishte vizita e tij e pare në Shqipëri, por ishte më surprizuesja prej pritjes së veçantë. Ai tha se me Shqipërinë e lidhte puna por së shpejti planifikon të vijë edhe me familjen për pushime.
Në aktivitetin e organizuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës morën pjesë, zëvëndës kryeministrja Belinda Balluku, anëtarë të kabinetit qeveritar, perfaqësues të trupit diplomatik, medias, përfaqësues të kompanive ajrore, drejtues nga Kastrati Group dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.
Për të arritur këtu kemi marrë vendime të rëndësishme dhe kemi ndërtuar strategji inovative, për përmirësimin e përvojës së pasagjerëve.
Grupi Kastrati sapo mori menaxhimin e aeroportit investoi për transformimin, rritjen e kapacitetve dhe përmirësimin e cilësisë.
Me rreth 100 milion euro të investuara në vetëm 3 vitet e para, hapësira e terminalit është trefishuar dhe pritet të shkoje në 100 mije metër katrorë, në përfundim të projektit.
Zëvëndës Kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku vlerësoi zhvillimin e vazhdueshëm të aeroportit dhe ndikimin e tij në ekonominë e vendit.
Ajo shtoi se ky rezultat nuk është vetëm një arritje e aeroportit por edhe e Shqipërisë që arrin të mirëpresë 10 milionë pasagjerë pa mbaruar ende viti.