RRUGA E MALIT TË ZI ËSHTË PRO-EVROPIANE

Mazhoranca e re qeverisëse mbetet e përkushtuar në rrugën e politikës së jashtme të Malit të Zi, u theksua pas takimit virtual të kryetarit të Parlamentit dhe Kryeministrit, Alleksa Beçiq dhe Zdravko Krivokapiq, me Zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borell. Në takim muerën pjesë edhe zëvendëskryministri Dritan Abazoviq si dhe Ministri i Jashtëm Gjorgje Radulloviq. Siç theksojnë nga kabineti, Borell tha se integrimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian mbetet lart në listën e përparësive dhe shprehu kënaqësinë me faktin që Mali i Zi ka harmonizuar politikën e tij të jashtme me BE. Duke theksuar se Bashkimi Evropian është një mik i dëshmuar i Malit të Zi, Kryetari i Parlamentit Beçiq falënderoi për angazhimin e vazhdueshëm dhe shprehu besimin se marrëdhëniet e mira do të vazhdojnë gjatë Parlamentit të ri. Më këtë rast, Kryeministri Krivokapiq shprehu kënaqësi të madhe gjatë bisedës me Përfaqësuesin e Lartë Borell, si dhe dëshirën e tij të shprehur për t’u takuar në Mali të Zi. Ai siguroi Borell se qeveria që ai drejton do të jetë e qëndrueshme në zbatimin e reformave dhe përmbushjen e detyrimeve në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.

SHARE