LIRIA E MEDIAS DHE SIGURIA E GAZETARËVE JANË PËRPARËSI

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Gjorgje Radulloviq tha se qeveria e sapo zgjedhur do të jetë e përkushtuar në respektimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, duke përfshirë lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve. Radulloviq mori pjesë sot në tryezën e rrumbullakët “Siguria e gazetarëve dhe çështja e mosndëshkimit” e cila është mbajtur online në kuadër të Konferencës Botërore për Lirinë e Shtypit, e organizuar në Hagë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Hollandës dhe UNESCO. Takimi, i organizuar me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, u përcjellë nga më shumë se 50 ministra dhe fokusi i bisedimeve ishte në sigurinë e gazetarëve, mediave të pavarura dhe përgjegjësisë së shteteve në atë kontekst. “Media është një shtyllë e pazëvendësueshme e çdo shoqërie demokratike, veçanërisht e atyre që përpiqen të arrijnë standardet evropiane. Kjo çështje kryesore do të jetë në listën e përparësive të qeverisë sonë,” tha Radulloviq. Kreu i diplomacisë malazeze tha se tendenca e shkeljes së lirisë së shprehjes dhe mendimit po përkeqësohet me krizën aktuale shëndetësore globale dhe se tendencat negative duhet të ndalen pa vonesë. Në atë linjë, ai theksoi nevojën për të parandaluar dhunën ndaj gazetarëve dhe detyrimin e shteteve për të kryer hetime të shpejta dhe efikase.

SHARE