TORNADO SHKATËRRIMTARE GODET BRAZILIN / TË PAKTËN GJASHTË TË VDEKUR DHE QINDRA TË PLAGOSUR

Një tornado e fuqishme ka goditur Brazilin jugor, duke shkaktuar të paktën gjashtë viktima dhe rreth 750 të plagosur, sipas autoriteteve lokale.

Më shumë se 1 mijë persona kanë mbetur pa strehë, pasi stuhia, me erëra që arritën deri në 250 km/h, goditi shtetin e Parana-s.

Qyteti i Rio Bonito, me rreth 14 mijë banorë, u godit më rëndë të premten pasdite, duke pësuar dëme të mëdha.

Sipas guvernatorit të shtetit, rreth 90% e ndërtesave të qytetit janë shkatërruar, ndërsa në të gjithë rajonin është shpallur gjendja e jashtëzakonshme.

Dhjetëra mijëra familje kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa shërbimet e emergjencës kanë ngritur një spital fushor për trajtimin e të plagosurve.

Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për persona që dyshohet se ndodhen nën rrënoja, me ndihmën e helikopterëve dhe personelit të dërguar nga rajonet fqinje.

Presidenti Luiz Inácio Lula da Silva ka shprehur ngushëllimet e tij për viktimat dhe ka premtuar mbështetje të menjëhershme për zonat e prekura.

Guvernatori i Parana-s ka shpallur tre ditë zie kombëtare.

Tornadot e kësaj fuqie janë të rralla në Brazil, por herë pas here shfaqen në rajonet jugore të vendit.

SHARE