Fill pas përfundimit të konferencës së mbajtur mes kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrit Edi Rama, ky i fundit iu bashkua një bashkëbisedimi me gazetarët. Gjatë një episodi të gjatë pyetje-përgjigjesh, Rama deklaroi se “drejtimi ynë është Perëndimi dhe nuk kemi asnjë drejtim tjetër.” Më pas u ndal gjerësisht te raportet Shqipëri-Kosovë dhe qëndrimet e tyre përkatëse lidhur me mini-shengenin. “Mendoj dhe punoj për interesat e Shqipërisë dhe të Kosovës, të heqim kufirin. Jemi dy shtete të vogla, duhet të bëjmë gjëra me dialog dhe me zgjuarsi Ne duhet të shohim interesin tonë si shqiptarë. Duke u mbyllur dhe duke mos çuar përpara bashkëpunimin rajonal ne humbasim shumë. Kosova është e ftuar, të gjithë shtetet janë të ftuara. Kosova më parë është ulur në tryeza. Në bashkëpunimin tim me Kosovën nuk ka ngërç, për mua të paktën nuk ka”, theksoi Rama. Më tej shtoi se SHBA dhe Gjermania e mbështesin fuqishëm këtë proces. Gjithashtu Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq deklaroi se marrëveshja e “mini-shengenit ballkanik” është shumë e rëndësishme për Serbinë, por edhe për vendet e tjera që janë pjesë e saj. Njësoj si Zaev, Vuçiq lajmëroi se qytetarët e rajonit do të mund të udhëtojnë nga një shtet në tjetrin vetëm me letërnjoftim. Takimi i rradhës i treshës Rama-Zaev-Vuçiq do te mbahet me 21 dhjetor në Durrës.