OSMANI AKUZON SERBINË PËR NDËRHYRJE NË ZGJEDHJET LOKALE NË KOSOVË

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e akuzoi Serbinë se po ndërhyn drejtpërdrejtë në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vend më 12 tetor. Osmani i bëri këto deklarata gjatë takimit që zhvilloi me kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.

“Presidentja Osmani vuri theks të veçantë te ndërhyrjet e drejtpërdrejta që po bën Serbia në zgjedhjet lokale, një dukuri e përsëritur ndër vite, e cila po manifestohet përmes blerjes së votës, ndërhyrjeve të jashtme, frikësimit dhe dhunës”, u tha në njoftimin e Presidencës kosovare.

Osmani bëri thirrje për angazhim në mbrojtje të integritetit të procesit zgjedhor, duke “dënuar ashpër ndërhyrjet e Beogradit zyrtar”.

“Ajo gjithashtu u bëri apel të gjithë aktorëve politikë dhe institucionalë, si dhe atyre ndërkombëtarë, që të kontribuojnë në mbrojtjen e votës së lirë dhe të dënojnë çdo akt të jashtëligjshëm që cenon vullnetin demokratik të qytetarëve të Kosovës”, u tha në njoftim.

SHARE