“MË MIRË BASHKËPUNONI”, BE PARALAJMËRON SERBINË: SANKSIONE NË FUND TË HETIMEVE

Konflikti i rindezur tashmë në luftë të plotë mes Izraelit dhe Hamasit, nuk e ka zhvendosur vëmendjen e Bashkimit Europian nga sulmi i Banjskës në Kosovë.

BE-ja i bëri thirrje Serbisë të bashkëpunojë pa kushte për zbardhjen e ngjarjes së 24 shtatorit, ndërsa këmbënguli se do të shqyrtojë mundësinë e vendosjes së masave ndaj Beogradit pasi të kenë përfunduar të gjitha hetimet.

“Kosova dhe Serbia duhet të kthehen në tavolinën e bisedimeve që është e vetmja rrugë për normalizimin e marrëdhënieve. Të dyja palët duhet të ndërmarrin hapa për uljen e tensioneve. Blloku europian pret bashkëpunimin e Serbisë për zbardhjen e sulmit mbi policinë e Kosovës. Nuk është se thjeshtë presim bashkëpunim të plotë, por presim bashkëpunim pa kushte nga Serbia, e kur ka vullnet ka dhe rrugëdalje. Nuk ka nevojë askush të fshihet prapa çështjeve formale si njohja apo mosnjohja e një shteti, ka mjaft mënyra se si mund të ndash gjetjet e tua, sesi mund të bashkëpunosh dhe të kontribuosh në hetimin e plotë”, u shpreh zëdhënësi i BE-së Stano.

Sipas Stanos rrethanat e sulmit, duhet të sqarohen deri në fund në mënyrë që të kemi një pamje të qartë rreth asaj se çfarë ndodhi, përse ndodhi, kush mori pjesë e kush e organizoi. Zëdhënësi nënvizoi se bazuar në rezultatet e verifikimit, blloku do të vendosë se cilët do të jenë hapat e ardhshëm në qasjen ndaj Serbisë, Kosovës, ndaj dialogut dhe rajonit në tërësi. Autoritetet  e Kosovës kanë vazhduar të insistojnë që bashkësia ndërkombëtare ta ndëshkojë Serbinë për sulmin e Banjskës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e përsëriti këtë edhe gjatë një takimi që pati me komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s me seli në Napoli, Admiralin Stuart B. Munsch, dukme theksuar se “kërkesa e Kosovës është e qartë, masa konkrete kundër Serbisë, pas atij akti agresioni ndaj Kosovës”.

SHARE