GAZA NË PRAG TË KATASTROFËS, OKB: RRETHIMI I PALIGJSHËM, HAPNI KORRIDORE HUMANITARE

Pa ujë, pa energji elektrike, pa ushqime e ilaçe, Gaza është paralizuar krejtësisht pas sulmit të 7 tetorit, e autoritetet druhen se një krizë e re humanitare mund të përfshijë territorin e varfër e të munduar nga konflikti.

Pasi Izraeli deklaroi nisjen e rrethimit total të tij, duke ndërprerë në të njëjtën kohë çdo furnizim, Kombet e Bashkuara reaguan duke thënë se kjo lëvizje, bie ndesh me ligjin ndërkombëtar.

“Vendosja e rrethimeve të tilla që rrezikojnë jetën e civilëve duke i privuar ata nga produktet për mbijetesën e tyre është e ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar humanitar. Çdo kufizim në lëvizjen e njerëzve dhe mallrave për të zbatuar një rrethim duhet të justifikohet nga nevoja ushtarake, ose në të kundërt, kthehet në ndëshkim kolektiv. Ligji ndërkombëtar është i qartë: kujdesi i vazhdueshëm është detyrim për ta kursyer popullatën civile gjatë sulmeve”, tha Ravina Shamdasani, zëdhënëse për të drejtat e njeriut OKB.

Gati 200 mijë vetë janë zhvendosur nga Gaza qe prej sulmit të së dielës, pohon Organizata Botërore e Shëndetësisë, që bën thirrje për krijimin e korridoreve humanitare në zonë.

“OBSH-ja apelon për fundin e dhunës. Strukturat shëndetësore, pacientët, punonjësit e shëndetësisë dhe civilët në përgjithësi duhen mbrojtur e t`u jepet garanci për sigurinë. Një korridor humanitar është i nevojshëm sa më shpejt në mënyrë që njerëzve t`u mbërrijnë furnizimet kritike për ta. OBSH-ja do të punojë me partnerët e saj për këtë qëllim”, tha Tarik Jasarevic, zëdhënës i OKBSH-së.

Gati 700 vetë kanë humbur jetën në Gaza brenda këtyre 4 ditëve e mijëra të tjerë janë plagosur. Viktima të konfliktit kanë mbetur edhe një duzinë punonjësish të kujdesit shëndetësor e të paktën shtatë qendra mjekësore janë dëmtuar. Zona strehon në total 2.3 milionë banorë, 80% e të cilëve janë të varur nga ndihma ndërkombëtare.

Territori qeveriset nga Hamasi, por Izraeli kontrollon hapësirën ajrore dhe vijën e saj bregdetare, ndërsa kufizon gjithashtu mallrat që mund të kalojnë kufijtë e tij. Egjipti fqinj kontrollon po ashtu se kush mund të kalojë përmes kufirit të tij me Gazën.

SHARE