Foto: Ilustrim
Në Mal të Zi është shënuar një rënie e ndjeshme e shitjes së produkteve vendase, ndërkohë që sasia e produkteve ushqimore të importuara është rritur krahasuar me vitin e kaluar – deklaroi për TVMZ, Millutin Gjuranoviq, kryetar i Bordit të Shoqatës së Industrisë Bujqësore dhe Ushqimore pranë Odës Ekonomike.
Sipas tij, në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, për importin e ushqimeve janë shpenzuar 493 milionë euro, që është 51 milionë euro më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Sasia e produkteve ushqimore të importuara është rritur për rreth 8,1%, ndërsa ka ardhur deri te rënia e shitjes së produkteve vendase. Po ashtu, blerja e qumështit nga prodhuesit vendas është ulur për gati 4%, ndërsa eksporti ka rënë për 3,7%”, theksoi Gjuranoviq.
Ai shtoi se importi është 12,9 herë më i lartë se eksporti, që sipas tij është një tregues shumë shqetësues për ekonominë vendase.
“Për çdo 100 euro që importojmë ushqime dhe pije, ne eksportojmë vetëm 7,7 euro – ky është një fakt shqetësues”, theksoi ai. Këto të dhëna ngrenë shqetësime serioze për konkurrencën e produkteve vendase në tregun malazez dhe për nevojën e mbështetjes më të madhe për prodhuesit lokalë.