Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se synojnë që të kenë modelin e parë në Evropë të prokurimeve publike nëpërmjet inteligjencës artificiale, transmeton Anadolu.
Në Tiranë u zhvillua sot Konferenca Ndërkombëtare për Qeverisje, një panel diskutimi për perspektivën e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, ku mori pjesë edhe Kryeministri Rama.
Në fjalën e tij Rama u shpreh se për herë të parë në histori, tashmë kanë zgjedhur si shtet dhe si komb, që duan të jenë pjesë e Bashkimit Evropian (BE).
“Ne synojmë që të kemi modelin e parë në Evropë të prokurimeve publike nëpërmjet inteligjencës artificiale, e cila do të jetë komplet me inteligjencë artificiale nga A-ja te Zh-ja dhe kjo do i bëjë prokurimet publike absolutisht transparente dhe nuk do të jetë fare e kontestueshme”, tha Rama.
Kryeministri Rama theksoi ndër të tjera se ai mendon që “prokurimi me anë të inteligjencës artificiale” është diçka që mund të eksportojnë.
“Teknologjia e re, mund të na japë shteteve si ne, mundësinë që të bëjmë hapa të cilët ndryshe do të ishin të pamundur. Pra thjesht imagjinoni, nëse teknologjia digjitale nuk do të ishte e zbatueshme, si do të kishim ne mundësinë që të jemi në atë pozicion dhe të ofronin me qindra-mijëra shërbime online dhe atëherë kanë qenë miliona njerëz që qëndronin në radhë për të marrë një certifikatë lindjeje”, tha Rama.
Programi i aktivitetit ishte i fokusuar në temat në lidhje me sfidat dhe mundësitë e qeverisjes në një botë që ndryshon me shpejtësi, agjenda e integrimit evropian për Ballkanin Perëndimor, reformat në sektorin publik në Shqipëri për katër vitet e ardhshme dhe qeverisja vendore dhe reformat e decentralizimit.