Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka reaguar ashpër ndaj thirrjeve me përmbajtje të gjuhës së urrejtjes që janë dëgjuar nga një pjesë e tifozëve gjatë ndeshjes së futbollit mes Kroacisë dhe Malit të Zi, duke i cilësuar ato si të drejtuara kundër pjesëtarëve të popullit serb.
“Gjithmonë do të jem kundër gjuhës së urrejtjes dhe gjithmonë për një politikë që bashkon njerëzit dhe çon përpara Malin e Zi dhe rajonin,” tha Millatoviq në një deklaratë zyrtare.
Ai theksoi se dënon fuqishëm skandimet e një pjese të tifozëve që, sipas tij, kanë shfaqur urrejtje etnike, gjë që është e papranueshme në një shoqëri moderne.
“Në një Evropë moderne dhe demokratike, ndaj së cilës aspirojmë, nuk duhet të ketë vend për shprehje të intolerancës ndaj pjesëtarëve të një kombësie tjetër,” theksoi presidenti.
Ky reagim vjen pas një vale kritikash publike lidhur me atmosferën në stadium dhe përforcon mesazhin institucional kundër gjuhës së urrejtjes në rajon.