PARALAJMËRIM PËR MOT TË KEQ NË MAL TË ZI, INSTITUCIONET NË GATISHMËRI, QYTETARËT TË NDJEKIN NJOFTIMET ZYRTARE

Foto: Ilustrim

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka lëshuar një paralajmërim për të gjitha shërbimet që marrin pjesë në sistemin e mbrojtjes dhe shpëtimit, duke theksuar nevojën për ngritjen e gatishmërisë operacionale për shkak të motit të pafavorshëm të paralajmëruar nga mbrëmja e sotme (10 shtator) deri në mëngjesin e datës 11 shtator.

Sipas njoftimit, meteorologët kanë parashikuar reshje të dendura shiu, rrebeshe dhe bubullima, duke filluar nga mbrëmja e sotme, gjatë natës midis të mërkurës dhe të enjtes, si dhe nesër në orët e para të mëngjesit.

“Lokalitetet jugore dhe qendrore do të preken më shumë, me rrebeshe intensive në periudha të shkurtra kohore, të cilat mund të shkaktojnë fenomene të motit ekstrem. Në zonat me bubullima priten erëra të forta, madje edhe shumë të forta në formë shpërthimi. Deti në hapësirë të hapur do të jetë i trazuar,” thuhet në komunikatën e Drejtorisë.

Për shkak të kushteve të tilla atmosferike, mund të shfaqen probleme të lokalizuara në terren, siç janë:

  • Përmbytje në zona urbane,
  • Qarkullim i vështirësuar,
  • Rrjedhje të vrullshme uji, etj.

Të gjitha shërbimet përkatëse janë njoftuar që të jenë në gjendje gatishmërie, ndërsa Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet relevante, për të ndërmarrë veprimet e duhura në rast të ndonjë rreziku.

“Apelojmë te qytetarët që të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të veprojnë sipas rekomandimeve të institucioneve përkatëse,” thuhet në fund të deklaratës.

SHARE