KONFERENCË RAJONALE NË MAL TË ZI: BASHKËPUNIMI MES ADMINISTRATËS DHE DREJTËSISË PËR TË FORCUAR PËRGJEGJËSINË DHE SUNDIMIN E LIGJIT

Foto: MAP

Konferenca rajonale me temë “Lidhja e drejtësisë administrative dhe administratës publike: forcimi i përgjegjësisë dhe mbikëqyrjes përmes bashkëpunimit” mblodhi përfaqësues të institucioneve të administratës publike, gjykatave administrative dhe ekspertë ndërkombëtarë për të trajtuar sfidat kyçe në ndërthurjen mes reformës së administratës publike dhe sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë ngjarje, Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Administratës Publike të Malit të Zi, Naim Gjokaj, theksoi se ligjet dhe procedurat janë përmirësuar dhe po harmonizohen me standardet evropiane.

Konferenca u organizua nga Programi SIGMA, Shkolla Rajonale për Administratë Publike (ReSPA) dhe Këshilli i Evropës, dhe nënvizoi rolin qendror të gjyqësorit administrativ në sigurimin e përgjegjësisë institucionale dhe mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve.

Në fjalën e tij hyrëse, Gjokaj theksoi angazhimin e Ministrisë për ndërtimin e një administrate që është e drejtë, transparente, efikase dhe që respekton vendimet gjyqësore:

“Kemi përmirësuar ligjet dhe procedurat tona, duke i përshtatur me standardet evropiane. Vitin e kaluar, këtë vit dhe vitin e ardhshëm po integrojmë mbi 150 shërbime të reja digjitale, të cilat do ta bëjnë administratën më të shpejtë, më të thjeshtë dhe më të qasshme për qytetarët dhe bizneset. Po investojmë në trajnimin e nëpunësve, për të ndërtuar një kulturë profesionalizmi dhe përgjegjësie.”

Ai theksoi gjithashtu se respektimi i vendimeve gjyqësore nuk është çështje zgjedhjeje, por detyrim ligjor për çdo funksionar publik:

“Figurat publike duhet të kuptojnë se respektimi i vendimeve gjyqësore nuk është opsion – është detyrimi i tyre,” përfundoi Gjokaj.

SHARE