TËRHEQJA E LETRËS SË BËRNABIQ / STANO: PALËT TË PUNOJNË PA VONESA

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, nuk ka dhënë detaje për tërheqjen e letrës së ish-kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, lidhur me hezitimin e Serbisë për zbatim e Marrëveshjes së Ohrit.

“Në emër të BE-së nuk kam çfarë t’i shtoj asaj që tha i dërguari i posaçëm, Mirosllav Lajçak në takimet në Prishtinë, javën e shkuar, dhe nuk ka nevojë të përsëritet. Pse, kur dhe si ndodhi kjo, nuk është diçka që na takon neve, por u takon autoriteteve të Serbisë t’i adresojnë këto pyetje. Mund të përsëris qëndrimin e BE-së që është i vazhdueshëm që nga dita e parë e Marrëveshjes së Ohrit, e ajo është se të dyja palët kanë obligim të zbatojnë Marrëveshjen, e cila është ligjërisht obliguese. Të dyja palët duhet të punojnë pa vonesa në zbatimin e saj”, ka thënë Stano.

Sipas diplomatit, asnjëra palë nuk do të mund të bëjë hapa përpara drejt integrimeve evropiane, nëse nuk e zbaton këtë Marrëveshje.

Marrëveshja prej 11 nenesh, mes të tjerash parashtron dhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë.

Lajçak tha gjatë vizitës në Kosovë se është arritur pajtueshmëri për një rund të ri të dialogut mes dy vendeve, në nivel kryenegociatorësh, por pa përmendur datën.

SHARE