Në Shqipëri po mbahet “Tirana Connectivity Forum” (TCF24), organizuar nën kujdesin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë (MEPJ), me fokus rolin e Procesit të Berlinit në ndërlidhshmëri dhe bashkëpunim rajonal.
Në një njoftim nga MEPJ thuhet se ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në fjalën hapëse në forum ka theksuar se në rajon objektivat e përbashkëta gjeopolitike, ekonomike dhe sociale duhet të jenë prioritet.
Sipas ministrit Hasani, mekanizmat e Procesit të Berlinit duhet të integrohen më mirë me ato të Bashkimit Evropian.
“Lufta në Ukrainë nënvizoi fuqimisht rëndësinë e stabilitetit rajonal dhe prosperitetit, së bashku me përputhjen e rajonit me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së. Monitorimi i zbatimit sistematik të angazhimeve të Procesit të Berlinit, për të krijuar më shumë angazhim dhe qëndrueshmëri të rezultateve do të jetë me rëndësi të jashtëzakonshme”, ka theksuar ministri Hasani.
Ai shtoi se BE-ja dhe Ballkani Perëndimor duhet të jenë më të hapur në gjetjen e rrugëve për një integrim të përshpejtuar para anëtarësimit të plotë. Duke u fokusuar tek bashkëpunimi rajonal, ministri Hasani theksoi se konvergjenca me BE-në është instrument i domosdoshëm për perspektivën e përbashkët evropiane.
Forumi dyditor TCF24 përkon me 10-vjetorin e Procesit të Berlinit dhe sipas MEPJ-së synon të bëjë një bilanc të një dekade të Procesit të Berlinit në ndërlidhshmëri dhe bashkëpunim rajonal ndërsa diskutimet kanë në fokus kuadrin e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.