GJELOSHAJ-ALIJU: VAZHDOJNË PËRGATITJET PËR FINALIZIMIN E RRUGËS PLAVË/GUCI – DEÇAN

Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, është takuar me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Republikës së Kosovës, Liburn Aliju.

Në takim Gjeloshaj dhe Aliju theksuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës dhe bashkëpunimin intensiv në të gjitha fushat.

„Qeveria e Malit të Zi me vendosmëri vazhdon të promovojë marrëdhëniet më të mira të mundshme me Republikën e Kosovës, duke inkurajuar bashkëpunimin dhe komunikimin e ndërsjellë në rrugën drejt arritjes së qëllimit tonë të përbashkët, rrespektivisht anëtarësimit në BE,“ theksoi Gjeloshaj.  

Gjeloshaj potencoi se fokusi i punës së tij është zhvillimi ekonomik, modernizimi dhe ndërtimi i infrastrukturës, me ç’rast u dakorduan që do të vazhdojnë me të gjitha forcat përgatitjet për finalizimin e rrugës Plavë/Guci – Deçan si dhe ranë dakord që të sigurojnë mjete shtesë për këtë projekt.

Gjithashtu ministrat Gjeloshaj dhe Aliju theksuan rëndësinë e ndërtimit të autostradës Andrijevicë-Çakorr-Pejë si një nga potencialet më të mira infrastrukturore që lidh Malin e Zi dhe Republikën e Kosovës dhe mundëson bashkëpunim më të ngushtë ekonomik.

SHARE