DUKAJ, CAMAJ DHE GJEKA DËNOJNË ASHPËR THIRRJET SHOVINISTE NË NDESHJEN E FUTBOLLIT BUDUQNOST-DEÇIQ

Ministri i Administratës Publike dhe njëkohësisht drejtor Politik i Alternativës Shqiptare Marash Dukaj dënoi ashpër thirrjet shoviniste në ndeshjen e futbollit Buduqnost-Deçiq.

Ai u bëri thirrje institucioneve, subjekteve politike dhe aktorëve shoqërorë që të ndërmarrin veprime konkrete.

„Ne duhet të bëjmë gjithçka për t’i ndaluar në mënyrë efektive fenomenin e shovinizmit nga çdo anë që ato vijnë. Dhuna në Greqi le të jetë një paralajmërim për ne – nga thirrjet shoviniste në dhunë është vetëm një hap”, shkruan Dukaj.

Në lidhje me thirrjet shoviniste që ndodhen mbrëmë në ndeshjen Buduqnost-Deçiq, reagoi edhe deputeti i Forumit Shqiptar, Nikollë Camaj.

“Në stadiumin e Buduqnostit, në Podgoricë, sonte na fyen në baza nacionale. Por, situata të ngjashme përjetohen në arenat e sportit gjithandej, prandaj nuk duhet të na befasojnë, e as të na shqetësojnë tepër këto barbarizma të tifozave malazes. Edhe më parë kemi përjetuar situata identike, apo edhe më dramatike! Për mua që isha mes shikuesve, madje nuk është shqtësuese sjellja e “Barbarëve”, por e një pjese të “lozhës”, ku u dëgjuan thirrje të ngjashme. Prandaj Buduqnosti duhet dhe do të paguaj gjobën për sjelljet e tilla të tifozëve të vet. Sidoqoft, ia vlen të veçohet se shtypi malazias e ka dënuar këtë lloj tifozimi!  Ajo që dua të apostrofoj është loja e mirë e djemve tonë dhe ruejtja e rezultatit (1:1), nën një presion të dukshem, për çka dua t’i përgëzoj,“ thuhet në reagimin e deputetit Camaj.

Po ashtu, ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave Fatmir Gjeka dënon ashpër thirrjet shoviniste nga rradhët e tifozave të Buduqnostit.

Ai tha se pas thirrjeve të turpshme të mbrëmshme të një pjese të tifozëve të Buduqnostit në ndeshjen me Deçiqin, ka mbetur një shije e hidhur.

“Prandaj presim reagim të qartë nga klubi i Podgoricës dhe gjobë të rëndë nga Federata e Futbollit të Malit të Zi që këto skena të shëmtuara të mos përsëriten në stadiumet tona. Tifozët e tillë nuk kanë vend në tribuna. Incidente të tilla janë një turp për vendin tonë, i cili është shembull i ndërkulturalizmit në Evropë,” tha ministri Gjeka.

SHARE