Foto: Vijesti
Në Tuz, qytetarët protestuan sot kundër mbylljes së vetmes barnatore shtetërore në komunë, e cila deri tani funksiononte në kuadër të qendrës shëndetësore “Montefarm”.
Protesta u organizua nga qytetari Hysein Gjokaj, i cili kërkoi që barnatorja të qëndrojë e hapur në vendndodhjen aktuale deri në përfundimin e pajisjes së objektit të ri.
Gjokaj paralajmëroi se mbyllja e barnatores do ta linte komunën pa asnjë barnatore shtetërore, duke rrezikuar qasjen e qytetarëve, veçanërisht pensionistëve dhe pacientëve me sëmundje të rënda te terapitë që ofrohen vetëm përmes sistemit publik.
Ai kritikoi afatin prej deri në 12 muaj që Montefarm ka përmendur për përgatitjen e objektit të ri dhe u bëri thirrje institucioneve që të ndërhyjnë urgjentisht.
Megjithë pakënaqësinë, protestës iu përgjigj numër i vogël qytetarësh. Gjokaj shprehu zhgënjim për mungesën e mbështetjes, por tha se njerëzit “do të reagojnë kur të ndjejnë pasojat”.
Ai theksoi se shëndeti nuk është biznes, por e drejtë themelore.
Pensionisti Fran Lulgjuraj vlerësoi se mbyllja apo zhvendosja e barnatores shtetërore në Tuz do të ishte zgjidhja më e keqe, pasi do të paraqiste vështirësi shtesë për pacientët.
Ai theksoi se si pacient i rregullt, e di që kjo farmaci ka ofruar gjithmonë mirëkuptim për qytetarët dhe se është pjesë e sistemit shëndetësor për më shumë se 50 vjet.
Sipas tij, zgjidhja më e mirë do të ishte vendosja e dialogut ndërmjet Komunës së Tuzit, institucioneve shtetërore dhe Montefarm-it, për të shmangur mbylljen.
Lulgjuraj theksoi se qytetarët janë mësuar me këtë lokacion, i cili është afër qendrës shëndetësore, stomatologjisë dhe pediatrisë, çka është praktikë edhe në vendet demokratike.
Ai shprehu besimin se do të gjendet një zgjidhje që farmacia të mbetet aty ku është, në interes të qytetarëve, dhe shprehu keqardhje që protestës nuk iu bashkua një numër më i madh qytetarësh, ndonëse nevoja për këtë barnatore është e përbashkët për të gjithë.