Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, zhvilloi një vizitë zyrtare në Letoni, ku është takuar me homologen e tij letoneze Baiba Braze, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thuhet se takimi Hasani-Braze rikonfirmoi marrëdhëniet “shumë të mira mes dy vendeve” dhe vullnetin për të ngritur bashkëpunimin “në një nivel më të strukturuar dhe strategjik”.
“Shoh potencial të madh për të thelluar bashkëpunimin në fusha kyçe si arsimi, siguria kibernetike, turizmi dhe shkëmbimet kulturore. Kjo vizitë është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një partneriteti të qëndrueshëm mes Shqipërisë dhe Letonisë”, është u shprehur ministri Hasani.
Hasani ka theksuar se qëndrimi parimor i Letonisë në Bruksel nuk ka rëndësi vetëm për Shqipërinë, por për vetë besueshmërinë dhe kohezionin strategjik të Bashkimit Evropian.
“Në kushtet aktuale gjeopolitike, zgjerimi (i BE-së) nuk është vetëm një proces transformues, është një domosdoshmëri strategjike. Lufta e agresionit të Rusisë e bën edhe më të qartë se përfshirja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është një investim në paqen dhe qëndrueshmërinë e Evropës. Letonia e kupton këtë thellësisht dhe ne e vlerësojmë fort këtë angazhim”, është shprehur Hasani.
Sipas njoftimit, ministri Hasani theksoi gjithashtu rëndësinë e përvojës së Letonisë në mbështetjen e Shqipërisë me njohuri praktike gjatë negociatave të anëtarësimit në BE.
Gjatë vizitës në Riga, Hasani vizitoi edhe kontingjentin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në Kampin Adazi.
“Krenar për secilin prej 22 burrave dhe grave që shërbejnë me profesionalizëm dhe përkushtim, të vlerësuar nga partnerët tanë letonezë dhe përfaqësues të angazhimit të palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-s dhe mbrojtjes kolektive”, ka theksuar Hasani.
Sipas ministrisë, këtë vit shënohen 97 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Letonisë, dhe 33 vite nga rivendosja e tyre.