Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, organizoi një pritje zyrtare në rezidencën presidenciale në Cetinë, me rastin e 13 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së Malit të Zi.
Në fjalimin e tij para përfaqësuesve të jetës politike dhe publike, ai theksoi se 13 korriku është simbol i shtetësisë, lirisë, nderit dhe dinjitetit kombëtar.
Millatoviq kujtoi kryengritjen e 13 korrikut 1941, duke e quajtur një “akt të ndërgjegjes” dhe “shpërthim të dritës së lirisë”. Ai tha se lufta e sotme është për një shtet të rregulluar, me institucione të forta, sundim të ligjit, barazi dhe drejtësi.
Presidenti theksoi se Mali i Zi duhet të ndërtojë të ardhmen vetë, të jetë shtet ku puna dhe ndershmëria shpërblehen, dhe të jetë i barabartë me demokracitë më të zhvilluara evropiane, duke aspiruar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në përfundim, ai theksoi se e kaluara duhet të jetë frymëzim për ndërtimin e një shtëpie të përbashkët – të drejtësisë, sigurisë, dinjitetit dhe përparimit për të gjithë qytetarët e Malit të Zi.