Foto: Komuna e Tuzit
Në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit u mbajt seanca e trembëdhjetë e rregullt, nën drejtimin e kryetarit të Kuvendit, Fadil Kajoshaj.
Seanca nisi në orën 11:00, me konstatimin e kuorumit të nevojshëm për punë dhe vendimmarrje.
Procesverbali i seancës së kaluar, e mbajtur më 3 prill, u miratua pa kundërshtime apo abstenime.
Në këtë seancë, me 22 pika në rendin e ditës, u miratuan njëzëri të gjitha propozimet dhe vendimet e parashtruara.
Ndër vendimet kryesore, Kuvendi miratoi llogarinë përfundimtare të buxhetit të Komunës për vitin 2024, si dhe një paketë masash për zbutjen e pasojave financiare nga fatkeqësitë natyrore që goditën zonën në vitin e kaluar. Sipas këtij vendimi, për vitin 2025, të gjithë personat fizik do të lirohen nga tatimi mbi pronën bujqësore.
Në kuadër të Programit Agrobuxhet për vitin 2025, Komuna e Tuzit ka ndarë mjete të konsiderueshme për mbështetjen e prodhuesve bujqësorë. Fondet përfshijnë subvencione për zhvillimin e prodhimit të qumështit, pagesa direkte për kokë bagëtie, mbështetje për korrjen e drithërave, bletarët, kontributet bujqësore, mbrojtjen e bimëve, si dhe shfrytëzimin e kullosave në zonat malore. Përveç kësaj, programi përfshin shërbime për dezinfektimin dhe kontrollin e dëmtuesve, si dhe promovimin e produkteve bujqësore.
Në diskutimet e seancës, Maliq Çunmulaj theksoi se disa prodhime, të tilla si patatja, marrin financim më të lartë, ndërsa të tjera më të kushtueshme mbesin të pakompensuara, duke vënë në dukje se bujqit shpesh nuk përfitojnë mjaftueshëm mbështetje.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i sekretariatit për bujqësi informoi se prodhuesit e patates dhe shalqirit kanë mundësinë të zgjedhin midis dy komponentëve të shpërblimit, në bazë të kilogramit ose hektarit.
Megjithatë, Çunmulaj u shpreh se nuk është e drejtë t’u lihet bujqve zgjedhja e këtij formati, pasi kjo krijon pasiguri dhe mundësi për padrejtësi në shpërblim.
Në seancën e XIII të Kuvendit të Komunës së Tuzit u miratuan disa vendime të rëndësishme që ndikojnë në funksionimin e institucioneve lokale dhe zhvillimin e komunës.
Midis vendimeve të miratuara janë përfundimi i mandatit të njërit prej anëtarëve të Bordit Drejtues të Shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” Tuz dhe emërimi i anëtarit të ri, Pjeter Gojçaj. Po ashtu, Kuvendi dha pëlqimin për emërimin e Ruzhdi Llukës si drejtor i SHPK “Tregu” Tuz, me shumicë votash pro. Në kuadër të veprimeve administrative, u verifikua dhe miratua vendimi për vazhdimin e dhënies me qira të lokacioneve për instalimin e objekteve të përkohshme deri në miratimin e Programit të objekteve të përkohshme për territorin e Komunës së Tuzit. Ky vendim është sjellë nga kryetari i komunës për të siguruar funksionimin e vazhdueshëm të aktivitetit tregtar në territor. Gjithashtu, u miratua vendimi për shpronësime për qëllime publike, për projektin e ndërtimit të rrugës Tuz–Dinoshë, një projekt kyç për zhvillimin infrastrukturor dhe lidhjen e zonave me kryeqytetin Podgoricë. Nga rendi i ditës u tërhoq propozimi për plotësimin e vendimit mbi Bashkësitë Lokale, i cili nuk u shqyrtua në këtë seancë.
Kuvendi miratoi një seri raportesh të punës dhe financiare për vitin 2024 nga institucione dhe shoqëri të ndryshme komunale, përfshirë:
1. Raportin për mbështetjen e afarizmit të grave,
2. Raportin ekonomik-financiar të Shoqërisë “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” Tuz,
3. Raportet vjetore të Shoqërisë “Tregu” Tuz dhe “Komunale” Tuz,
4. Raportet e Qendrës Kulturore-Informative “Malësia”,
5. Raportet financiare të Klubeve të Futbollit dhe Basketbollit “Deçiq”,
6. Raportin financiar të Organizatës Turistike të Tuzit.
Gjithashtu u miratuan ndryshime në programet vjetore dhe u dhanë pëlqime për veprimtaritë komunale dhe zhvillimin kulturor dhe sportiv në komunë për vitin 2025.
Një moment i veçantë i seancës ishte shpallja e këngëtarit Nikollë Nikprelaj si “Qytetar Nderi” i Komunës së Tuzit, për kontributin e tij të shquar në fushën e kulturës dhe artit.