Kryebashkiakja e Sarajevës Benjamina Kariq i ka dërguar letër falenderuese kryetarit të komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj.
Në këtë letër, kryebashkiakja Kariq shpreh mirënjohjen e saj të thellë për përkrahjen e kryetarit dhe të komunës së Tuzit në mbështetjen e Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë.
„Mbështetja dhe solidariteti juaj është shenjë se qëndroni pa kompromis në anën e së vërtetës dhe drejtësisë dhe angazhimi juaj vetëmohues meriton respektin dhe mirënjohjen tonë më të madhe,“ thuhet në letrën e kryebashkiakes.
„Falënderimi i kryebashkiakes Kariq na nderon dhe na inkurajon të vazhdojmë të punojmë për të promovuar paqen, drejtësinë dhe respektin për të drejtat e njeriut. Kjo letër është një simbol i përkushtimit tonë për të kujtuar dhe për të mësuar nga e kaluara, në mënyrë që të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë,“ theksoi kryetari Gjelaj.