KOSOVË, 11 KORRIKU SHPALLET DITË PËRKUJTIMI PËR GJENOCIDIN NË SREBRENICË

Qeveria e Kosovës e ka shpallur 11 korrikun si Ditë Përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë.

Në mbledhjen e Qeverisë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se shpallja e 11 korrikut si Ditë Përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë është veprim fisnik e i duhur në emër të Kosovës.

“Ky është veprim finsik e i duhur në emër të Kosovës, të universales tonë njerëzore, e të dëshirës sonë për drejtësi dhe paqe. Që të mos harrohet dhe të mos përsëritet më gjenocidi as në Bosnjë dhe Hercegovinë, as në Kosovë, e askund tjetër në rajonin tonë dhe në botë”, theksoi Kurti.

Kurti tutje tha se javën e kaluar pjesëtarë të ushtrisë serbe kaluan në një paradë në Prijedor, pa leje të shtetit të Bosnjë dhe Hercegovinës, derisa theksoi se vrasja e 8.372 burrave dhe djemve të Srebrenicës nga forcat serbe ishte masakra më e madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Kabineti qeveritar në fund të fjalimit të kryeministrit mbajti një minutë heshtje në kujtim të viktimave të gjenocidit të Srebrenicës.

Zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi ka thënë se kjo ditë duhet të shërbejë për ruajtjen e së vërtetës, paqes, drejtësisë dhe të drejtave të njeriut.

Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës nga komuniteti serb, i cili e mbështeti këtë vendim, tha se është e rëndësishme të thuhet se “kriminelët dhe gjenocidi kanë emrat dhe mbiemrat e tyre dhe nuk duhet të përgjithësohen për një popull të caktuar, ose një vend të caktuar, por mbi autorët individualë që e bënë këtë, duke mos menduar as për viktimat dhe as për njerëzit e tyre”.

Në maj, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së përmes një rezolute përcaktoi 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit të vitit 1995.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007.

SHARE