Hakmarrje e Donald Trumpit ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale pas vendimit të saj për Izraelin.
Kështu po interpretohen sanksionet e Shteteve të Bashkuara ndaj GJNP-së, të cilat u kritikuan ashpër nga Bashkimi Europian dhe Kombet e Bashkuara. Brukseli e bëri të qartë se nuk do të qëndrojë indiferent, por do të shqyrtojë përgjigjet e mundshme.
GJNP-ja i nxjerr para përgjegjësisë autorët e krimeve më të rënda në botë dhe u jep viktimave një zë, shkroi në mediat sociale Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen. Gjykata duhet të jetë në gjendje të veprojë lirisht pa presion, nënvizoi ajo. SHBA-ja vendosi më herët sanksione të reja kundër katër gjyqtarëve të GJND-së për “veprime të paligjshme kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit”, sic tha ajo.
Washingtoni pretendon se kjo gjykatë nuk ka juridiksion legjitim mbi personelin amerikan ose aleatët e SHBA-së si Izraeli, pasi as SHBA-të dhe as Izraeli nuk janë shtete palë në GJND.
“Gjykata Penale Ndërkombëtare është e politizuar dhe pretendon në mënyrë të rreme vlerësim vetjak të pakufizuar për të hetuar, paditur dhe ndjekur penalisht shtetasit amerikanë dhe aleatët tanë. Ky abuzim me pushtetin shkel sovranitetin dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë“, deklaroi sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio.
Vetë Gjykata i përshkroi sanksionet e SHBA-së si “një përpjekje të qartë për të minuar pavarësinë e një institucioni gjyqësor ndërkombëtar” e kujtoi se aktiviteti i saj ofron “drejtësi dhe shpresë për miliona viktima të mizorive të paimagjinueshme”.