Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministrja e Punëve Evropiane të Malit të Zi, Maida Gorçeviq, nënshkroi sot në emër të Qeverisë dy marrëveshje financiare me Bashkimin Evropian në vlerë prej mbi 80 milionë eurosh. Këto marrëveshje mbulojnë programet operacionale për mbrojtjen e mjedisit dhe punësimin me përfshirje sociale për periudhën 2024-2027.
Ministrja Gorçeviq theksoi se këto fonde do të arrijnë në çdo pjesë të Malit të Zi dhe do të përmirësojnë jetën e qytetarëve menjëherë, duke përshpejtuar reformat dhe duke ndërtuar një shoqëri të qëndrueshme, në përputhje me vlerat evropiane.
Programi i mbrojtjes së mjedisit dhe ndryshimeve klimatike ka një vlerë prej 48.5 milionë euro dhe përqendrohet në katër fusha kryesore: menaxhimin e ujërave komunale, menaxhimin e mbetjeve, mbrojtjen e natyrës dhe adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike.
Programi synon ruajtjen e kapitalit natyror dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga rreziqet e ndryshimeve klimatike.
Programi për punësim dhe përfshirje sociale, me vlerë 31.6 milionë euro, synon rritjen e përfshirjes në tregun e punës, mbrojtjen sociale dhe fuqizimin e kapaciteteve administrative për të siguruar punësim dinjitoz dhe të qëndrueshëm, sidomos për grupet e ndjeshme.
Këto aktivitete përforcojnë procesin e negociatave të Malit të Zi me BE-në, sidomos në fushat e politikave sociale, punësimit, drejtësisë dhe të drejtave themelore, duke përgatitur vendin për anëtarësim të plotë dhe zbatimin e politikave kohezive evropiane.
“Mesazhi është i qartë: Mali i Zi e di drejtimin e tij, beson në vlerat evropiane dhe ndërton një shoqëri ku zhvillimi, barazia dhe dinjiteti janë realitet – jo vetëm premtim,” theksoi Gorçeviq.