BEGAJ E KURTI KUJTOJNË 10 QERSHORIN / ‘LIDHJA E PRIZRENIT NDEZI PISHTARIN E LIRISË’

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Prizren ku mori pjesë në kremtimin e 147-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke theksuar rëndësinë historike dhe frymën e bashkimit kombëtar që kjo ngjarje përfaqëson.

Në fillim të vizitës, Presidenti Begaj u prit nga Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj. Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Në fjalën e tij,

Kreu i Shtetit e vlerësoi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit si themelin politik dhe shpirtëror të bashkimit kombëtar, duke theksuar se ajo përfaqëson ditën kur filloi lëvizja për pavarësi.

Ai theksoi se trashëgimia e Lidhjes jeton në çdo përpjekje për zhvillim dhe bashkim kulturor të shqiptarëve kudo që ndodhen, duke qenë një thirrje për vetëdije kombëtare dhe mbrojtje të identitetit.

Presidenti Begaj nënvizoi guximin dhe vullnetin e paraardhësve tanë, të cilët, pavarësisht mungesës së fuqive të mëdha, luftuan për të drejtën e ekzistencës, gjuhës dhe territorit.

Ai e cilësoi historinë si frymëmarrjen dhe gjakun që na lidh të gjithëve, duke e quajtur Lidhjen e Prizrenit pjesë të zemrës së çdo shqiptari të ndershëm.

Në përfundim, Presidenti bëri thirrje për më shumë dashuri ndaj gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar, duke nxitur frymëzimin nga trimëria e Lidhjes së Prizrenit për ndërtimin e një shoqërie të drejtë, të arsimuar dhe të bashkuar.

Ai theksoi se liria është fituar me sakrifica dhe se atdheu është pjesë thelbësore e identitetit tonë.

Përkujtimi i Lidhjes së Prizrenit u cilësua si një busull frymëzuese që na mëson se bashkimi, vizioni dhe vullneti e bëjnë të mundur çdo gjë, dhe se atdhedashuria është vepër e përgjegjshme për të nderuar të kaluarën dhe për të ndërtuar të ardhmen.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se tek Lidhja e Prizrenit gjendet shpirti kryengritës dhe vetëqeverisjen.

Kurti në fjalën e tij ndër të tjera tha: “Te Lidhja Shqiptare e Prizrenit e gjejmë edhe shpirtin kryengritës në mes peticionesh protestash por edhe vullnetarizmin luftarak e ushtarak për mbrojtjen e trevave shqiptare nga ushtritë fqinje. Te lidhja shqiptare e Prizrenit e gjejmë edhe aftësinë e kapacitetin e shqiptarë ve për të vetëqeverisur e vetëvendosur por edhe aftësinë e tyre politike për t’u pozicionuar ndaj zhvillimeve politike ndërkombëtare të kohës.”

Ndërsa, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj u shpreh se ky moment shënoi zgjimin e identitetit kombëtar, projektin e parë strategjik për bashkimin e shqiptarëve, një ngjarje që i parapriu dhe frymëzoi pavarësinë dhe lirinë.

SHARE