Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi, mendon se draft statuti i Ekipit Menaxhues të Kosovës, duhet të jetë pikënisja për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.
Ai ishte i pranishëm në debatin për Kosovën që u mbajt një ditë më parë në Parlamentin Evropian, dhe tha se Asociacioni sipas draft statutit që u prezantua me 2 maj në Bruksel, do të jetë një “formë e veçantë organizimi, e themeluar me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të pakicave”.
Komisioneri Evropian tha se krijimi i Asociacionit është një detyrim që rrjedh nga marrëveshjet e dialogut.
“Duhet të zbatohen të gjitha obligimet nga dialogu, pa vonesa dhe pa kushte, përfshirë edhe atë nga marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.
Siç ka nënvizuar Përfaqësuesi Special për dialog Miroslav Lajçak, draft-propozimi i prezantuar në takimin e fundit nga Ekipi Menaxhues, është pikënisje për diskutimet e mëtejme për themelimin e Asociacionit.
„Një javë më parë Ekipi Menaxhues për hartimin e statutit për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, prezantoi në Bruksel draftin e parë.
Por draft-statuti u refuzua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se ai ishte i papajtueshëm me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, por edhe vlerat evropiane.
Ai prezantoi një draft-vizion, sic e quan ai, se si do duhej të ishin vlerat dhe parimet që rregullojnë çështjen e komuniteteve pakicë në Kosovë.