Ushtria ukrainase u ka shkaktuar “humbje të mëdha” forcave ruse gjatë një kundërsulmi të suksesshëm pranë qytetit lindor të Bakhmut të mërkurën, thonë zyrtarët ukrainas.
Përmes një video-mesazhi në Telegram, kreu i Brigadës së 3-të Sulmuese të Ukrainës, Andriy Biletsky tha se “njësitë e Brigadës 72 të Federatës Ruse u mundën”.
Biletsky bëri me dije se forcat ukrainase kanë zënë robër një numër të konsiderueshëm ushtarësh rusë dhe se kundërshtari ka pësuar humbje të mëdha me mbi 203 persona të vrarë dhe qindra të tjerë të plagosur.
Po sipas kreut të Brigadës së 3-të Sulmuese të Ukrainës nga ky aksion është çliruar plotësisht një zonë prej 3 kilometrash e gjerë.
Vendndodhja e saktë nuk u dha.
Qyteti Bakhmut është kthyer në fushëbetejë prej një kohe të gjatë, të cilin forcat ruse të mbështetur edhe nga mercenarët e Wagner synojnë ta pushtojnë.
Rusët kanë dëbuar mijëra ukrainas nga shtëpitë e tyre, duke lënë zonën e shkatërruar.
Por pavarësisht sasive të mëdha të fuqisë punëtore dhe burimeve që Moska ka derdhur për të pushtuar qytetin, ata nuk kanë qenë në gjendje të marrin kontrollin total.