MACRON: ORGANIZMI I RI POLITIK, TË ANËTARËSOJMË BALLKANIN PERËNDIMOR, SCHOLZ PAJTOHET

Ideja e presidentit francez Emmanuel Macron për krijimin e një organizate politikë përtej BE-së, ku mund të anëtarësohen edhe vende të Ballkanit Perëndimor dhe Ukraina, është mbështetur nga kancelari gjerman Olaf Scholz. Gjermania dhe Franca duan të forcojnë më tej aftësinë e Europës për të vepruar, sidomos në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Macron zhvilloi në Berlin vizitën e tij të parë jashtë vendit në mandatin e dytë. Të dy politikanët siguruan se i duhet dërguar një sinjal vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’i lidhur ato më ngushtë me Bashkimin Evropian. “Ne u qëndrojmë premtimeve tona për anëtarësim,” theksoi Scholz. Macron doli me një propozim të ri, të cilin e prezantoi edhe gjatë një fjalimi në Strasburg, disa orë para takimit të tij me kancelarin gjerman Scholz: Krijimin e një organizmi evropian, anëtarë të së cilës mund të jenë edhe vende jo anëtare të BE-së, si vende të Ballkanit Perëndimor, Ukraina ose Britania e Madhe. Macron argumentoi se BE-së i duhen procedura të përshpejtuara për t’u dhënë këtyre vendeve statusin kandidat, duke përmendur Ukrainën si shembull, por edhe vende në Ballkanin Perëndimor që nuk i përmbushin ende standardet ekonomike apo kushtetuese të BE-së, “por janë gati të bashkohen me ne”. Për këtë do të duheshin formate politike. Edhe pse e cilësoi propozimin interesant, Scolz theksoi se nuk duhet hequr dorë nga procesi i zgjerimit. Që në fjalën e tij hyrëse ai përsëriti sërish kërkesën e tij për heqjen e bllokadave, qartazi në adresë të Bullgarisë, por pa e përmendur këtë të fundit: “Bllokadat aktuale duhet të kapërcehen për hir të përgjegjësisë ndaj Evropës dhe arsyes gjeostrategjike”, duke pasur parasysh bllokadën aktuale që po i bën Bullgaria Maqedonisë së Veriut në procesin e çeljes së negociatave, Scholz gjithashtu nënvizoi edhe perspektivën evropiane të Ukrainës. Scholz dhe Macron paralajmëruan se do të bëjnë një samit të përbashkët franko-gjerman me vendet e Ballkanit Perëndimor në qershor.

SHARE