ISH-KRERËT E UÇK-së DEKLAROHEN TË PAFAJSHËM PËR AKUZAT E REJA

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u deklaruan të pafajshëm për akuzat e reja të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Në seanca të ndara pranë Dhomave të Specializuara, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli, dhe Jakup Krasniqi, por edhe ish-deputeti, Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për akuzat e reja, që i janë shtuar më 29 prill aktakuzës fillestare për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Gjatë seancës për paraqitje të mëtejme më 10 maj, Thaçi tha se nuk i ka kuptuar akuzat sepse kanë qenë shumë të redaktuara, por tha se deklarohet i pafajshëm. “Deklarohem i pafajshëm, megjithëse lëndën nuk e kam lexuar dhe nuk e kam kuptuar, por deklarohem i pafajshëm”, tha ai, teksa mori pjesë në seancë përmes video-lidhjes nga Qendra e Paraburgimit në Hagë. Akuzat e reja kanë të bëjnë për krime të pretenduara në dy qendra ndalimi në Suharekë dhe një qendër ndalimi në Gjilan. Kryeministri Edi Rama ka shkuar këtë të martë në burgun e Hagës, ku ka vizituar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

SHARE