Edhe pse është vendi më i izoluar nga Bashkimi Evropian, Kosova po ashtu është ndër të pakta shtete që feston “Ditën e Evropës”. Këtë festë, ku pushojnë të gjitha institucionet publike, qytetarët e shohin të paarsyeshme. Megjithatë, “Dita e Evropës” në Prishtinë u shënua me një varg aktivitetesh. Nga ku ambasadori i BE-së në Kosovë tha se Kosova ka një të ardhme Evropiane.
Tomas Szunyog: Jam krenar për progresin që ka arritur Kosova me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe shteteve tona anëtare. Pavaresisht cdo sfide, solidariteti i BE-së nuk do të zvogëlohet kurrë dhe BE-ja do të vazhdojë të jetë partneri më i afërt për Kosovën, siç është tani.
E në këtë ditë, kreu i Prishtinës, Përparim Rama tha se Kosova është e lidhur ngushtë me Evropën, ndonëse nuk është pjesë e BE-së.
Përparim Rama: Uroj që me këtë ditë, kështu të iniciojmë një përshpejtim të Kosovës si pjesë të Bashkimit Evropian aty ku e meriton dhe i takon të jetë.
Përmes rrjeteve sociale kryeministri i Kosovës kërkoi përshpejtim të procesit të Integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. E kërkesë për liberalizim të vizave kanë bërë edhe 81 organizata qeveritare në një letër të hapur drejtuar presidentit francez Emmanuel Macron, duke theksuar se ky proces është tejzgjatur dhe izolon Kosovën nga Bashkimi Evropian.