Foto: Reuters
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi mbrëmjen e së mërkurës se do t’i rrisë menjëherë tarifat ndaj mallrave kineze në 125 për qind, pasi Kina vendosi tarifa prej 84 për qind ndaj një sërë importesh nga Amerika.
Ky vendim shënon përshkallëzim të ri në konfliktin tregtar mes dy ekonomive më të mëdha të botës.
“Bazuar në mungesën e respektit që Kina ka treguar ndaj Tregjeve Botërore, po e rris tarifën e vendosur ndaj Kinës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 125%, me efekt të menjëhershëm”, deklaroi Trump në rrjetet sociale.
“Shpresojmë se së shpejti, Kina do ta kuptojë se ditët kur e mashtronin SHBA-në dhe vendet e tjera nuk janë më të qëndrueshme apo të pranueshme”, shtoi ai.
Sekretari i Thesarit amerikan, Scott Bessent, këmbënguli se kjo ka qenë strategjia e Trump që në fillim, duke u thënë gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se Pekini “është treguar para botës aktor i keq”.
Në një intervistë të mërkurën për Fox Business, Bessent e dënoi veprimin e Kinës, duke thënë se është për keqardhje qysh kinezët nuk duan të negociojnë, “sepse ata janë shkelësit më të mëdhenj të sistemit tregtar ndërkombëtar”.
Njoftimi i Kinës për vendosjen e tarifave prej 84 për qind ndaj importeve amerikane fillimisht shkaktoi tronditje në tregjet globale.
Por, tregjet u rritën ndjeshëm pasi Trumpi i pezulloi për 90 ditë tarifat më të mëdha “reciproke” ndaj pjesës më të madhe të botës, përballë frikës së një recesioni ekonomik.
Pekini vendosi tarifat prej 84 për qind ndaj mallrave amerikane, pasi SHBA-ja kishte vendosur paraprakisht tarifë 104 për qind për importet nga Kina.
Pekini e përshkroi këtë vendim si masë mbrojtëse përballë asaj që e quajti “agresion të vazhdueshëm tregtar” nga Shtetet e Bashkuara.
Shtetet e Bashkuara importuan mallra nga Kina me vlerë 439 miliardë dollarë vitin e kaluar. Telefonat e mençur, laptopët, bateritë litiumjon, lojërat dhe lodrat ishin ndër artikujt më të vlefshëm.
Ndërsa eksportuan mallra në Kinë në vlerën e 144 miliardë dollarëve, prandaj deficiti i tyre tregtar arriti në 295 miliardë dollarë.
Tarifat e Kinës ndaj mallrave amerikane do të hyjnë në fuqi më 10 prill.
Tarifat do të vlejnë për produktet bujqësore amerikane, elektronikën dhe makineritë industriale – shtylla kyçe të ekonomisë eksportuese të SHBA-së.
“Nëse SHBA-ja këmbëngul në përshkallëzime të mëtejshme ekonomike dhe tregtare, Kina ka vullnet të fortë dhe mjete të bollshme për të marrë kundërmasa të nevojshme dhe për të luftuar deri në fund”, tha Ministria e Tregtisë së Kinës.