Qeveria e Malit të Zi në seancën e sotme telefonike të Qeverisë së Malit të Zi, në bazë të pëlqimit të marrë nga shumica e anëtarëve, miratoi Informatat e Ndërmarrjes Publike “Të Mirat Detare” lidhur me procedurën e prokurimit trageteve të nevojshme për funksionimin normal të trafikut në linjën e tragetit Kamenari-Lepetane.
Informacioni i nënshkruar nga drejtori i Ndërmarrjes Publike “Të Mirat Detare”, Mladen Mikijel, i është dorëzuar më 4 prill Ministrisë së Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit dhe ministres Ana Novakoviq Gjuroviq.
Në dokument thuhet se është e nevojshme që Qeveria të miratojë konkluzionet se Ndërmarrja Publike “Të Mirat Detare”, ka për detyrë të kryejë procedurën urgjente të prokurimit publik/blerjes së tre trageteve pa shpallur thirrje për tender.
Siç thuhet nga Ndërmarrja Publike “Të Mirat Detare”, aktualisht në linjën Kamenari – Lepetane funksionojnë dy tragete, por duke pasur parasysh se sezoni turistik është në prag, kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për faktin se numri i automjeteve që përdorin shërbimet e trageteve është vazhdimisht në rritje.
Siç thanë ata, mjetet për blerjen e trageteve do të sigurohen përmes ndryshimit të planit për shfrytëzimin e mjeteve të Ndërmarrjes Publike “Të Mirat Detare”, i cili është miratuar së fundi.