Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Bashkimi Evropian nuk është vetëm një projekt politik dhe ekonomik, por mbi të gjitha një komunitet vlerash dhe rregullash.
Pikërisht për këtë arsye, ai nuk ka alternativë për shtetet e Ballkanit Perëndimor, tha kryenegociatori i Malit të Zi për negociatat me BE-në, Predrag Zenoviq.
Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor ishin në qendër të Forumit Budapest Balkans, ku u mbajt tryeza ministeriale “Walking the Walk: Enlargement and the Western Balkans”.
Duke folur për perspektivën evropiane të rajonit, Zenoviq theksoi rëndësinë e procesit të zgjerimit të BE-së për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Mali i Zi sot është udhëheqës i procesit të integrimit evropian në rajon, me përputhje të plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, rezultate të forta në sundimin e ligjit dhe një nivel të lartë harmonizimi të legjislacionit me të drejtën e BE-së, të ngjashëm me atë të vendeve anëtare”, tha ai.
Zenoviq nënvizoi se deri tani Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht 13 kapituj negociues, dhe së shpejti pritet mbyllja e kapitullit të katërmbëdhjetë.
“Brenda më pak se shtatë ditësh presim mbylljen e kapitullit të katërmbëdhjetë. Pas marrjes së IBAR-it dhe dinamikës së mbylljes së kapitujve, hapi tjetër kyç do të jetë fillimi i hartimit të Marrëveshjes së Anëtarësimit, që është një hap i rëndësishëm jo vetëm për përfundimin e negociatave të Malit të Zi, por edhe për kredibilitetin e përgjithshëm të politikës së zgjerimit”, shtoi Zenoviq.
Ai theksoi se procesi i anëtarësimit duhet të mbetet i bazuar në rregulla të qarta, reforma të besueshme dhe parimin e merituar, me një kuadër të parashikueshëm dhe të qëndrueshëm për vendet kandidate.










