Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, e ktheu për rishqyrtim Ligjin për ndryshimet në Ligjin për Punët e Brendshme, duke theksuar se mbështet reformën e policisë, por vetëm nëse ajo bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe standardet evropiane.
Ai vuri në dukje disa probleme në ligjin e miratuar, përfshirë mospërputhjen me rregullat e BE-së për mbrojtjen e të dhënave, cenimin e të drejtës për mbrojtje dhe të parimit të prezumimit të pafajësisë, si dhe rrezikun që vendimet administrative të zëvendësojnë rolin e gjykatës.
Sipas tij, ligji mund të çojë edhe në dëm financiar për shtetin nëse zyrtarët e policisë largohen nga puna pa vendim gjyqësor dhe më pas shpallen të pafajshëm.
Millatoviq kritikoi gjithashtu mundësinë që zyrtarët me “pengesa sigurie” të punojnë ende në Ministrinë e Brendshme në poste të tjera, si dhe përdorimin retroaktiv të rregullave të reja dhe mungesën e debatit publik gjatë përgatitjes së ligjit.
Ai theksoi se kthimi i ligjit i jep mundësi qeverisë dhe parlamentit të përgatisin një version të ri që do të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe standardet evropiane.










