MILLATOVIQ: BULLGARIA ËSHTË NJË PARTNER I RËNDËSISHËM PËR MALIN E ZI NË RRUGËN E TIJ EVROPIANE

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, me ftesë të presidentit të këtij vendi, Rumen Radev, ndodhet në një vizitë zyrtare në Republikën e Bullgarisë.

Siç u bë e ditur, ai u prit me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake në sheshin Aleksandër Nevski në Sofje.

Pas takimit kokë me kokë, presidentët patën një konferencë për media.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp në rezidencën e Presidentit të Bullgarisë, Millatoviq theksoi se ishte nder i madh për të që ishte sot në Sofje dhe së bashku me presidentin Radev konfirmuan aleancën e fortë mes Malit të Zi dhe Bullgarisë.

“Kam kënaqësi që sot, në prani të dy presidentëve, pamë nënshkrimin e një marrëveshjeje të rëndësishme në kuadër të bashkëpunimit shkencor ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës së Bullgarisë, e cila është një marrëveshje ndërmjet Institutit të Biologjisë Detare të Universitetit të Malit të Zi dhe Institutit Polar në Sofje. Kjo marrëveshje do të hapë derën për studiuesit tanë për herë të parë për eksplorimin e planifikuar afatgjatë të polit të Jugut. Dëshiroj të falënderoj profesorin e shquar për këtë hap të rëndësishëm dhe mbi të gjitha presidentin Radev, sepse iniciativa për këtë bashkëpunim ka ardhur nga ai vitin e kaluar”, tha Millatoviq.

Krahas kësaj marrëveshjeje, theksoi ai, e cila është shembulli i shkëlqyer, në mos shembulli më i mirë i bashkëpunimit shkencor mes dy vendeve tona, kam kënaqësinë të njoftoj se së shpejti do të nënshkruhen edhe tre marrëveshje të tjera të rëndësishme mes Bullgarisë dhe Malit të Zi.

“E para ka të bëjë me bashkëpunimin ndërmjet odave tona të tregtisë, e dyta me bashkëpunimin në fushën e sportit midis ministrive dhe qeverive të Republikës së Bullgarisë dhe Malit të Zi, ndërsa e treta ka të bëjë me bashkëpunimin shtesë në fushën e shkëmbimit shkencor dhe teknologjik dhe arsimit. Këto marrëveshje specifike do të përmirësojnë më tej bashkëpunimin e përgjithshëm dypalësh midis Malit të Zi dhe Bullgarisë”, tha presidenti i Malit të Zi.

Ai kujtoi se të dy vendet janë aleatë brenda NATO-s dhe ndajnë një vizion të përbashkët të stabilitetit dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë.

Ndërsa presidenti bullgar Rumen Radev në këtë konferencë ndër të tjera tha: „Bullgaria do ta mbështesë fuqishëm Malin e Zi në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe do t’i ofrojë mbështetje eksperte dhe politike“.

SHARE