KQZ CERTIFIKON REZULTATIN ZGJEDHOR NË KOSOVË

Me 11 vota, anëtarët e Komisionit Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë certifikuan rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Sipas të dhënave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 51.10 për qind të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.19 për qind të votave, apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.24 për qind, apo 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.50 për qind, apo gjashtë ulëse.

Nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë ulëse i ka fituar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, dhe një ulëse Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Procesi i certifikimit u zvarrit për shkak të nevojës për rinumërim të të gjitha votave të këtij procesi zgjedhor, meqë pati dyshime për manipulime të votave të kandidatëve për deputetë.

Dhjetëra persona janë dërguar në paraburgim, qindra të tjerë janë intervistuar nën dyshimet për manipulim të votave, dhe proceset hetimore e gjyqësore pritet të vazhdojnë. Votat për parti nuk janë cenuar.

SHARE