MISIONI I KiE: KOSOVA MBAJTI ZGJEDHJE PAQËSORE, POR PËRFAQËSIMI I GRAVE MBETET I ULËT

Foto: Erkin Keçi

Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) të cilët e monitoruan procesin e zgjedhjeve të përgjithshme më 9 shkurt në Kosovë, kanë konsideruar se votuesit demonstruan përkushtimin ndaj demokracisë duke votuar në mënyrë paqësore dhe pa tensione, raporton Anadolu.

Në një konferencë për media, një ditë pas procesit zgjedhor, kryetarja e këtij delegacioni, Petra Bayr ka thënë se këto zgjedhje kanë shfaqur një peizazh politik pluralist dhe dinamik me 28 lista garuese që përfaqësonin komunitetit shumicë dhe joshumicë në Kosovë.

“Këto zgjedhje shfaqën një peizazh politik pluralist dhe dinamik me 28 lista garues që përfaqësonin komunitetin shumicë dhe joshumicë në Kosovë. Për më shumë pjesëmarrja e serbëve të Kosovës, të cilëve iu ofrua një gamë e gjerë opsionesh politike, kontribuoi në një proces zgjedhor më gjithëpërfshirës”, theksoi Bayr.

Bayr tha se 24 anëtarët e delegacionit të cilin e udhëhoqi ajo, i përbërë nga 18 deputetë, përfaqësues të Komisionit të Venecias dhe staf, vëzhguan procesin zgjedhjet nga 7 deri më 10 shkurt në disa komuna, si: Ferizaj, Gjilan, Graçanicë, Kamenicë, Leposaviq, Mitrovicë Veriore, Mitrovicë Jugore, Pejë, Podujevë, Prizren, Suharekë dhe Zubin Potok.

Ajo tha se Ligji Zgjedhor i vitit 2023 parashikon një kuotë gjinore në listat e partive, por, përfaqësimi i grave në zgjedhje mbetet i ulët.

“Përfaqësimi i grave mbetet në nivel të ulët. Mbetet për t’u parë nëse sistemi i votës preferenciale për ndarjen e mandateve do të ndikojë negativisht apo pozitivisht në numrin e grave të zgjedhura”, theksoi ajo.

Sipas këtij delegacioni, fushata zgjedhore ishte përgjithësisht e qetë përkundër polarizimit dhe retorikës nxitëse të raportuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), derisa u evidentuan gjithashtu edhe disa incidente të izoluara përfshirë shkatërrimin e materialeve të fushatës dhe frikësimin e kandidatëve.

Delegacioni vlerësoi përgjithësisht mirë edhe punën Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

SHARE