LIDERËT E BE-së BIEN DAKORD TË PËRFORCOJNË KONTROLLIN KUFITAR DHE POLITIKËN E KTHIMIT

Në samitin që përfundoi herët në mëngjesin e sotëm, liderët e Bashkimit Evropian (BE) vendosën të përforcojnë kufijtë e jashtëm të bllokut dhe të fokusohen më shumë në parandalimin e emigrimit të parregullt. Në një konferencë për media në mbylljen e takimit të liderëve, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se “do të veprojmë për të përforcuar kufijtë tanë të jashtëm dhe për të parandaluar emigrimin e parregullt”. Ajo shpjegoi se BE-ja do të krijojë “pilot projekte” për të përforcuar mbrojtjen e kufirit, si me pajisje materiale ashtu edhe me personel për të trajtuar kërkesat për azil dhe kthimet. Në një ndryshim të madh, kontrolli i forcuar kufitar do të financohet nga buxheti i përbashkët i bllokut, pavarësisht qëndrimit të mëparshëm të presidentes së Komisionit Evropian që përjashtonte financimin e gardheve kufitare me paratë e BE-së. Në konkludimet e samitit, liderët e BE-së i kërkuan në mënyrë specifike organit ekzekutiv të BE-së të “mobilizojë menjëherë fonde dhe mjete të konsiderueshme të BE-së për të mbështetur vendet anëtare në përforcimin e aftësive dhe infrastrukturës së mbrojtjes së kufijve si dhe mjeteve të mbikëqyrjes, përfshirë mbikëqyrjen ajrore dhe pajisjet”. Siç theksoi Von der Leyen, në kuadër të pilot projekteve të reja, BE-ja do të “ofrojë një paketë të integruar të infrastrukturës së lëvizshme dhe të palëvizshme si makina e kamera dhe kulla vrojtimi e mbikëqyrje elektronike”. Liderët e BE-së po ashtu ranë dakord për të përshpejtuar kthimet e sigurta të atyre emigrantëve, kërkesat për azil të të cilëve u refuzuan. Me ndihmën e agjencive përkatëse të BE-së, tha Von der Leyen, pilot projektet e reja do të “përqendrohen në procedurat kufitare në mënyrë që të shfaqin praktikat më të mira për regjistrimin, procedurat e shpejta dhe të drejta të azilit, si dhe të merren me kthimet”. Ajo shtoi se për këtë qëllim vendet tani e tutje do të njohin reciprokisht vendimet e kthimit për të shmangur aplikimet e dyfishta. Përveç kësaj, liderët i bënë thirrje agjencisë së azilit të bllokut evropian që të punojnë në konceptin e “vendeve të treta të sigurta dhe vendeve të sigurta të origjinës” nga ku BE-ja nuk do të pranonte kërkesat për azil. Liderët e BE-së diskutuan për çështjet ekonomike si dhe mbështetjen e bllokut për Ukrainën, përfshirë ndihmën ushtarake si dhe më shumë sanksione kundër Rusisë dhe përdorimin e mëtejshëm të aseteve të ngrira ruse.

SHARE