ARRIN NË 22.400 NUMRI I VIKTIMAVE TË TËRMETIT

Nga mbetjet e tërmetit shkatërrimtar të së Hënës vijojnë të nxirren të mbijetuar edhe pse operacionet e kërkim shpëtimit kanë hyrë në ditën e 5-të dhe tashmë gjithçka po vështirësohet gjithnjë e më shumë. Me mijëra njerëz janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat deri më tani. Me ritme të shpejta vijon të rritet numri i viktimave. Bilanci i të vdekurve, orët e fundit është thelluar në rreth 22 400, ndërsa ai i të plagosurve në mbi 80 mijë. Kombet e Bashkuara paralajmëruan se numri i madh i personave të mbetur të pastrehë, veçanërisht në Siri ku me mijëra banorë janë pa energji elektrike, ushqim dhe furnizim me karburant mund t’i shtojë të tjera viktima bilancit të katastrofës, mes të mbijetuarve. Orët e fundit, në Siri mbërritën kamionët e parë me ndihma humanitare nga OKB. Shpërndarja megjithatë, është e vështirë pasi zonat e goditura nga tërmeti janë prej vitesh në krizën që nisi që me revoltat e pranverës arabe. Pas katastrofës së tërmetit, shumë zona të shkatërruara janë pushtuar nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të dendura që shkaktuan fryrjen dhe daljen nga shtrati të lumenjve. Një situatë e tillë është jo vetëm në veri të Sirisë por edhe në Iskanderun të Turqisë.

SHARE