HAN PO QËNDRON PËR VIZITË ZYRTARE NË MAL TË ZI

Komisionari Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë Johanes Han, po qëndron për vizitë zyrtare në Mal të Zi.

Ai me këtë rast përcjellë mesazhet nga Strategjia me temë  “Perspektiva e besueshme e zgjerimit dhe bashkëpunimi i zgjeruar i BE në Ballkanin Perëndimor”, i cili u prezantua  ditë më parë në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg.

Han paralajmëroi me këtë rast Malin e Zi, se Shërbimi Publik duhet të qëndrojë i mbrojtur nga presioni politik dhe ftoi opozitën që të ndërpresë bojkotin parlamentar.

Ai duke ju përgjigjur shkresës së opozitës së ashtuquajtur qytetare, tha se Komisioni Evropian, ndjek nga afër zhvillimin e situatës në RTMZ dhe për këtë ka biseduar me autoritetet malazeze.

Han në shkresë thekson se  Shërbimi Publik duhet të mbetet gjithmonë i pavarur dhe i mbrojtur nga presioni politik nga secila anë. Ai në një letër drejtuar liderëve të opozitës, theksoi se çdo presion mbi media dhe sulm mbi integritetin e gazetarëve, të cilat mund të dëmtojnë punën e tyre profesionale, shkon kundër vlerës së lirisë së medies.

“Shërbimet publike luajnë një rol shumë të rëndësishëm në shoqëri dhe duhet të jenë gjithmonë të pavarura dhe të mbrojtura nga ndikimi i panevojshëm dhe presioni politik i secilës anë”, tha Han.

Liderët e të ashtuquajturës, opozitë qytetare iu drejtuan Han nëpërmjet një shkrese  në të cilën paralajmërojnë se Partia Demokratike e Socialistëve,  brutalisht abuzon me Kuvendin e MZ dhe përmes mekanizmit dhe vetë dëshirës  i shkarkon arbitrarisht  ata anëtarë të Këshillit të RTMZ, të cilët nuk i kontrollon  dhe në vend të tyre në këshillë sjellë ushtarët e vet partiak.

Han, shprehu keqardhje që udhëheqësit e të ashtuquajturës opozitë qytetare kanë vendosur të mos marrin pjesë në procedurën parlamentare e cila i përket  anëtarëve të Këshillit të RTMZ dhe  shprehu brengosje që ata nuk kanë mbrojtur pikëpamjet e tyre në debatë demokratik në parlament.

“Unë do të shfrytëzoj këtë mundësi për të inkurajuar partitë tuaja që të kthehen në Parlament, aty ku mund t’i mbroni pikëpamjet dhe angazhimet tuaja për interesin publik”, deklaroi Han.

 

SHARE