Punëtorët gjermanë të hekurudhave filluan grevën e tyre tre-ditore të mërkurën lidhur me mosmarrëveshjet me operatorin kombëtar hekurudhor për pagat dhe orarin e punës.
“Deutsche Bahn” në pronësi shtetërore tha se greva e sindikatës e drejtuesve të trenave të Hekurudhave Gjermane (GDL) do të shkaktojë ndërprerje të mëdha në shërbimet e trenave lokal, rajonal dhe ndërurban të udhëtarëve midis të mërkurës dhe të premtes.
“Orari i urgjencës siguron vetëm shërbime shumë të kufizuara të trenave në shërbimet ndërqytetëse, rajonale dhe S-Bahn. Ju lutemi, përmbahuni nga udhëtimet e panevojshme gjatë grevës dhe shtyni udhëtimin tuaj për një kohë tjetër”, thuhet në deklaratë.
Kreu i Sindikatës, Claus Weselsky kritikoi ashpër menaxhmentin e “Deutsche Bahn” dhe tha se oferta e fundit e operatorit të trenit ishte një “provokim” dhe larg përmbushjes së kërkesave të tyre.
“Nëse nuk ka ofertë të re deri të premten, ne do të bëjmë një pushim dhe më pas do të ndërmarrim hapa për grevën e radhës”, tha Weselsky për transmetuesin publik ARD, pak pasi makinistët e trenave ndaluan punën të mërkurën në mëngjes.
GDL këmbëngul për rritje pagash prej 555 euro (rreth 600 dollarë) në muaj dhe një premio njëherëshe për të kompensuar inflacionin deri në 3.000 euro. Sindikata kërkon gjithashtu uljen e orarit të punës së punëtorëve me turne, nga 38 në 35 orë në javë, pa u ulur pagat.