NATO DHE BE ZOTOHEN PËR BASHKËPUNIM MË TË NGUSHTË

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, nënshkroi deklaratën e përbashkët për bashkëpunim strategjik me Bashkimin Evropian. Kjo deklaratë, që u nënshkrua të martën në selinë e aleancës në Bruksel, synon “ngritjen në një nivel më të lartë” të raporteve të këtyre dy institucioneve. Deklarata u nënshkrua nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Stoltenberg tha se deklarata e tretë e NATO-s dhe BE-së për bashkëpunim strategjik, është më e rëndësishme se kurrë më parë, duke pasur parasysh sfidat me të cilat përballet aleanca ushtarake perëndimore, veçmas pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës. Shefi i NATO-s bëri thirrje që të ruhet uniteti i botës së lirë demokratike karshi kërcënimeve të Moskës. Ndërkaq, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se NATO dhe BE janë rritur paralelisht dhe kanë plotësuar njëra-tjetrën përgjatë historisë. “Putin deshi më pak NATO, por e arriti të kundërtën. Tani kemi më shumë NATO dhe më shumë BE. Po e përshpejtojmë edhe procesin e zgjerimit drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Michel, duke paralajmëruar më shumë investime në mbrojtje dhe vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se sfidat dhe kërcënimet e përbashkëta nuk vijnë vetëm nga Rusia. “Kërcënimi i Rusisë është më i afërmi, por jo i vetmi kërcënim për aleancën tonë. Duhet të kemi rezistencë edhe ndaj qëllimeve të Kinës që synojnë të vënë në dyshim sigurinë dhe stabilitetin tonë”, tha ajo. Von der Leyen shtoi se në të ardhmen, BE-ja dhe NATO-ja do të angazhohen në luftimin e ndërhyrjeve nga jashtë dhe manipulimeve të informacionit. Ajo paralajmëroi se do të vazhdojë ndihma për Ukrainën dhe theksoi se blloku do të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë, por edhe ndaj Bjellorusisë – aleates së Putinit – për rolin që ka në luftën kundër Ukrainës.

SHARE