KURTI: PLANI FRANKO-GJERMAN, BAZË E MIRË PËR MARRËVESHJE ME NJOHJE RECIPROKE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u deklarua sot për marrëveshjen me Serbinë, vizitën e këshilltarit të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet si dhe planin franko-gjerman. Pas takimit që pati me kryetarët e komunave të vendit, Kurti u pyet nga gazetarët në lidhje me këto tema. Ai tha se planin franko-gjerman, Kosova e cilëson si bazë të mirë për bisedime. Megjithatë, kryeministri u shpreh se Serbia e ka refuzuar këtë plan në mënyrë unanime. “Serbia e ka refuzuar atë në mbledhjen e Këshillit Nacional të Sigurisë në Beograd, të mbajtur me 27 tetor 2022, me vendim unanim”, tha kryeministri Kurti. Sipas Kurtit, ajo që duhet të ndodhë për këtë marrëveshje është që të ketë trysni mbi Beogradin nga BE-ja. Kryeministri u shpreh se vizita e këshilltarit të lartë amerikan të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet në Kosovë, vjen në një moment të rëndësishëm ku afrohet edhe njëvjetori i luftës në Ukrainë. Ai shtoi se Serbia jo vetëm që nuk e ka dënuar agresionin rus, por ka bërë tri marrëveshje të rëndësishme me federatën ruse. “SHBA janë edhe partnerë dhe aleatë andaj ne do të bashkëpunojmë ngushtë”, tha Kurti. Sipas tij, derisa ka një Serbi jo normale, qëllimi i Kosovës është që të normalizojë raportet duke pasur në fokus marrëveshjen finale ligjërisht të obligueshme, e që ka në qendër njohjen reciproke. “Njohjen reciproke e ka kërkuar edhe kancelari gjerman”.

SHARE