ZEJNELLAGIQ: NJË I VDEKUR DHE 71 RASTE GRIPI NË MAL TË ZI

Foto: Vijesti

Në Mal të Zi, që nga fillimi i sezonit të gripit, janë regjistruar 71 raste të të sëmurëve, ndërsa një pacient 68-vjeçar, i cili vuante nga sëmundje kronike dhe nuk ishte i vaksinuar, ka humbur jetën.

Duke folur në emisionin “Ngjyrat e mëngjesit” në Televizionin Vijesti, epidemiologu i Institutit për Shëndet Publik të Malit të Zi, dr. Rexheb Zejnellagiq, bëri të ditur se këtë vit numri i personave të vaksinuar është dukshëm më i lartë se vitet e kaluara dhe u bëri thirrje qytetarëve të vazhdojnë këtë trend pozitiv.

Ai theksoi se ende nuk është vonë për t’u vaksinuar, edhe pse sezoni i gripit ka nisur pak më herët se zakonisht.

“Personat në rrezik duhet të paraqiten te mjeku i tyre i zgjedhur për të marrë vaksinën. Janë të nevojshme dy deri në tre javë për krijimin e imunitetit, prandaj sa më herët të merret vaksina, aq më shpejt arrihet mbrojtja,” tha Zejnellagiq.

Sipas tij, në javët në vijim pritet një rritje e numrit të rasteve, sidomos me afrimin e festave të fundvitit, që sjellin më shumë kontakte mes njerëzve dhe, si pasojë, rritje të përhapjes së gripit.

Zejnellagiq u bëri thirrje qytetarëve të mos e shtyjnë vaksinimin: “Duhet të paraqiten sa më shpejt te mjeku i tyre dhe të marrin vaksinën pa vonesë,” theksoi ai.

SHARE